Ky shkrim përkujton 16-vjetorin e rënies së dëshmorëve të parë dhe fillimin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në Tanushë, me fokus të veçantë në jetën dhe veprën e dëshmorit Muzafer Veli Xhaferi.
Nga Xhemal Selimi
Qysh kur krisën pushkët e para në fshatin Tanushë dhe filloi rezistenca e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ne ishim pjesëtarët e parë të saj.
Vendimi për fillimin e luftës Çlirimtare Kombëtare në fshatin Tanushë është marrë nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, për t’iu kundërpërgjigjur veprimeve të egra, keqtrajtimeve dhe dhunës së ushtruar ndaj shqiptarëve në Maqedoni.
Në fillim ishim 64 ushtarë dhe pas daljes publike të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, më 16 shkurt 2001, marshuan djemtë më të mirë të kombit nga të gjitha viset shqiptare për t’iu bashkuar radhëve të saj. Ushtria Çlirimtare Kombëtare rezistonte ndaj çdo sulmi dhe arrinte t’i zmbrapste forcat sllavo-maqedonase.
Rënia e dëshmorit të parë
Më 16 shkurt 2001, forcat speciale sllavo-maqedonase sulmuan fshatin Tanushë dhe në këtë betejë të ashpër ra dëshmori i parë i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Muzafer Xhaferi.
Kjo ishte një ditë shumë e vështirë për ne, sepse humbëm një shok dhe një luftëtar trim, të palodhur për çështjen kombëtare. Ai ishte gjithmonë i pari aty ku kërkohej, i përgatitur fizikisht dhe moralisht, një djalë trim që nuk ia kishte frikën armikut.
Jeta dhe vendosmëria e Muzafer Veli Xhaferit
Muzafer Veli Xhaferi lindi më 1 prill 1980 në fshatin e lavdisë dhe krenarisë kombëtare, në Tanushën e Shkupit. Ai u rrit në një familje bujare, prej së cilës mori edukatën atdhedashëse.
Muzaferi ishte betuar se do të luftonte deri në çlirimin e plotë të trojeve shqiptare.
Gjatë betejave të njëpasnjëshme që u zhvilluan në Tanushë, morën pjesë edhe shumë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të cilët sot janë Dëshmorë të Kombit: Qemal Shaqiri, Nuri Mazari – Komandant Struga, Gazmend Arifi, Nijazi Sinani, Shpend Mazreku, Sahit Sejdiu, Naim Limani, Fejzullah Shaqiri, e të tjerë.
Zgjerimi i luftës dhe suksesi
Brenda një kohe shumë të shkurtër, forcat e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare marshuan drejt fshatrave Brezë, Malinë, Gushincë, si dhe në malësitë e Kumanovës, Shkupit, Sharrit dhe Tetovës.
Ushtria Çlirimtare Kombëtare korrte suksese të njëpasnjëshme, të cilat e detyruan shtetin maqedonas të pranonte humbjen. Kjo forcë guerile mahniti edhe ndërkombëtarët me sukseset e arritura dhe me luftëtarët e lirisë të dalë nga gjiri i popullit, të cilët luftuan vullnetarisht.
Këta luftëtarë arritën ta gjunjëzojnë shtetin maqedonas dhe, me ndërmjetësimin e faktorëve ndërkombëtarë, u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit.
Kujtesa dhe nderimi
Ne, bashkëluftëtarët, veteranët, të plagosurit e lirisë dhe familjet e dëshmorëve, me nderimin dhe respektin më të madh do t’i kujtojmë përjetë Dëshmorët e Kombit.
Lavdi trimërisë dhe veprës së Dëshmorit të Kombit, Muzafer Veli Xhaferi.
Lavdi Dëshmorëve të Kombit.
Cyrih, 16 shkurt 2017
Xhemal Selimi, i plagosur i lirisë në Tanushë




