Fjala e Xhemal Selimit, me rastin e përkujtimit të fillimit të luftës së UÇK-së në fshatin Tanushë, tubimi i datës 11 gusht 2025
Të nderuar të pranishëm në këtë tubim përkujtimor, që po mbahet sot, më 11 gusht 2025, në Tanushë, ju përshëndes dhe ju falënderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj.
Tanusha, në të gjitha kohët, ka dhënë luftëtarë të lirisë: duke filluar nga luftërat ballkanike të viteve 1912–1913, duke vazhduar me Luftën e Parë Botërore (1914–1918), më pas me Luftën e Dytë Botërore (1941–1945) e deri te Lufta e UÇK-së e vitit 2001.
Luftëtarët e Tanushës dhe të viseve tjera shqiptare në Maqedoni nuk kanë luftuar për të bërë krime ndaj popujve të tjerë, por për të mbrojtur trojet e tyre nga sulmet e armiqve të shumtë, të cilët kanë synuar gjenocidin dhe spastrimin etnik të shqiptarëve në Maqedoninë Perëndimore – troje këto të banuara dendur me shqiptarë që nga kohët antike e deri në ditët tona.
Edhe sot nuk jemi mbledhur këtu për sharje, fyerje apo kërcënime raciste ndaj popullit maqedonas, por për ta përkujtuar luftën e drejtë të UÇK-së për realizimin e të drejtave elementare të shqiptarëve në trojet e tyre në Maqedoni – të drejta të cilat, fatkeqësisht, shqiptarët e Maqedonisë ende nuk i gëzojnë plotësisht.
Uroj që ky tubim për shqiptarët të kthehet në vullnet për mësim, punë dhe përpjekje për të jetuar në trojet e tyre, e jo për t’i braktisur ato.
Uroj gjithashtu që ky tubim të shërbejë për marrëveshje, bashkim dhe harmoni mes shqiptarëve në Maqedoni.
Kanë kaluar tashmë rreth 25 vjet nga lufta e UÇK-së e vitit 2001, por kujtimi për atë luftë dhe dëshmorët e saj nga Tanusha e viset tjera shqiptare, nuk është shuar e as zbehur. Përkundrazi – sa më shumë që kalojnë vitet, kujtimi për luftën e drejtë të UÇK-së dhe për dëshmorët e saj ripërtërihet, forcohet dhe mbetet i gjallë.
Me këtë rast, përkujtojmë me krenari dëshmorët e Tanushës, të fshatrave përreth dhe të gjithë viseve shqiptare, që dhanë jetën e tyre si ushtarë besnikë të UÇK-së.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të Tanushës dhe të viseve tjera shqiptare!
Rroftë kujtimi për Luftën e UÇK-së të vitit 2001!
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë!




